Kodimi po shihet gjithnjë e më shumë si një aftësi e re për tregun e punës, që u garanton të rinjve punësim cilësor dhe paga të larta.
Në Tiranë, u shpall sot thirrja e parë për të gjithë të rinjtë që duan të marrin pjesë në Programin e Kodimit, i cili çelet nga qeveria shqiptare, si një derë e re e së ardhmes për të rinjtë.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi gjatë këtij aktiviteti se qeveria do të mbështesë kostot për koduesit e rinj, duke qenë se sektori i IT po njeh zhvillime të shpejta.
“Këtë vit qeveria ka parashikuar fondin për të mbështetur rreth 1 mijë kodues, duke u ardhur në ndihmë atyre që duan të investojnë e ndryshojnë karrierën e tyre. Ne jemi të bindur se duke investuar në aftësimin e të rinjve, po investojmë në përmirësimin e të ardhmes, por edhe të ekonomisë tonë“, u shpreh ministrja.
Ibrahimaj bëri të ditur se kontributi i sektorit të IT-së në Prodhimin e Brendshëm Bruto llogaritet rreth 1 %, ndërsa numërohen 13 mijë të punësuar në 3200 kompani.
“Në 5 vitet e fundit numri i të punësuarve është rritur me 210%. Ritmet e rritjes kanë kaluar çdo lloj parashikimi. Kjo është arsyeja pse ne vendosëm të hartojmë një program për të mbështetur këtë sektor. Edhe biznesi ka treguar angazhim të madh”, vuri në dukje ministrja.
Qeveria ka vendosur të subvencionojë çdo të ri që do të kryejë një program kodimi deri në masën 50 % të kostos, ndërsa për disa kategori të caktuara do të subvencionojë deri në 100%.



























