Një vrasje e dyfishtë tronditi gjatë orëve të mbrëmjes Shqipërinë. Dy vëllezër mbetën të vrarë me armë zjarri në Gramëz të Krujës. Viktimat janë Gramoz Bardhi 34 vjeç dhe Xhentil Bardhi 24 vjeç. Dy vëllezërit u qëlluan me kallashnikov, teksa ndërruan jetë rrugës për në spital.

Ndërkohë, policia njofton se ka identifikuar autorin që ekzekutoi me kallashnikov dy vëllezërit Bardhi pranë banesës së tyre. Bëhet fjalë për Roland Pulën, 32 vjeç nga Kruja. Referuar të dhënave,mësohet se gjarja e rëndë ndodhi pas një debati në një lokal mes vëllezërve Bardhi dhe vëllait të Roland Pulës.

Po ashtu, policia ka gjetur të braktisur makinën e autorit të ngjarjes në vendin e quajtur pompat e ujit në Gramëz. Sipas të dhënave, vëllezërit Bardhi dhe Pula kanë pasur konflikt të vjetër, pasi kanë plagosur njëri-tjetrin edhe më parë.

Autori i ngjarjes është person problematik, pasi është i dyshuar për grabitje dhe trafik të lëndëve narkotike. Pula u arrestua në 2008, në 29 tetor 2010 Roland Pula u dënua nga gjykata e këtij qyteti me 6 muaj burgim për akuzën e “kanosjes” me armë, 4 muaj burgim për akuzën e “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe 2 vjet burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”. Sipas burimeve, në bashkim të këtyre tre dënimeve, Roland Pula është dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.

Këtë masë dënimi rezulton se Pula e ka kryer gjatë qëndrimit në ambjentet e paraburgimit në Fushë-Krujë, duke sjellë lirimin e menjëhershëm të tij, në muajin nëntor 2010. Sipas informacioneve, edhe dy vëllezërit e ekzekutuar mbrëmë ishin të skeduar nga policia për vjedhje. Aktualisht, policia vijon kërkimet për kapjen Roland Pulës. Pritet që hetimet të zbardhin të plotë rrethanat e ngjarjes./ Opinion.al

23