Pas përballimit me sukses të situatës së pandemisë së koronavirusit, Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë do të zgjerojë shërbimet me super investimin në Shërbimin e ri të Kardiokirurgjisë, teksa ka përfunduar edhe investimi në laboratorin ultramodern, pjesë e rrjetit të laboratorëve publikë me standarde ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi sot ambientet e spitalit “Shefqet Ndroqi”, ku u njoh nga afër me këtë investim.
Ministrja Manastirliu theksoi se “ekipi i Spitalit Universitar ‘Shefqet Ndroqi’ prej dy javësh janë rikthyer në normalitet dhe kanë rifilluar punë. I falënderojmë për gjithë punën dhe angazhimin e tyre në 15 muajt e vështirë të COVID-19, me profesionalizëm të lartë dhe sakrificë të jashtëzakonshme”.
Duke folur për investimin e ri në këtë spital, Manastirliu tha se “edhe pse në periudhën e vështirë të pandemisë ne nuk jemi ndalur së realizuari investimet e parashikuara për të siguruar më shumë shërbime ndaj qytetarëve”.
Ky investim, tha ajo, i jep një drejtim tjetër spitalit pasi përmbyll një cikël shumë të rëndësishëm sa i përket sëmundjeve kardiologjike, ku përveç shërbimit të hemodinamikës i investuar disa vite më parë, tashmë edhe shërbimi i kardiokirurgjisë siguron të realizojë mbi 400 ndërhyrje operatore në vit”, tha ministrja.
Ajo theksoi se, “kemi mbyllur investimin në sallën e operacionit me aparaturat përkatëse, ndërkohë që kemi edhe laboratorin e ri të investuar në spital që plotëson të gjithë gamën e analizave që duhet të bëhen”.
Ministrja Manastirliu theksoi se burimet njerëzore janë më të rëndësishmet, ndaj siç tha ajo, në kuadër të nismës “Gati për Shqipërinë”, një kardiokirurg na ofrohet nga Gjermania. “Ai po bëhet gati për t’u shkëputur nga një klinikë në Gjermani dhe t’i bashkohet stafit të spitalit “Shefqet Ndroqi””, tha Manastirliu.
Investimi arrin në 1 milion euro, dhe ashtu siç u shprehën mjekët e këtij spitali “në shtator do të fillojnë operacionet e para, ndërkohë që nga janari 2022 vihet në kapacitet të plotë spitali.
Sipas mjekëve, deri tani në kardiokirurgjinë e QSUT-së kryhen 700 operacione në vit, ndërkohë që nevojat janë shumë më të mëdha. Ky investim, thanë ata, bën që sistemi i shëndetësisë të jetë në gjendje që të trajtojë dhe t’u ofrojë shërbimin pacientëve.
Po ashtu pranë këtij spitali është investuar në një reanimacion të ri vetëm për të sëmurët kardiokirurgjikalë, ku ka përfunduar faza e aparaturave dhe po përgatitet personeli.


























