Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka shpërndarë sot në rrjetin social Twitter intervistën për “Zërin e Amerikës” të zëvendësndihmëssekretarit të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar.

Kim ka publikuar transkriptin e intervistës së Escobar duke shkruar “Jeni lodhur nga “spin doktorët”? Gjykojeni vetë. Ja çfarë tha në të vërtetë zëvendësndihmëssekretari Escobar”.

Kim më tej shkrun në postim se “ai diskutoi gjithashtu integrimin ekonomik rajonal (përfshirë Ballkanin e Hapur dhe Procesin e Berlinit), Kosovë-Serbi, etj.”.

Zv.ndihmëssekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar dënoi dhunën e fundjavës së kaluar në Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe tha se ajo nuk mund të jetë mjet për marrjen nën kontroll të një partie politike.

Escobar tha për “Zërin e Amerikës” se mbështetja në protesta në rrugë nuk do të thotë domosdoshmërisht mbështetje e elektoratit dhe rikonfirmoi se ka marrëdhënie të mira me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.