Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, deklaroi sot se “Shqipëria për të filluar me konferencën e parë ndërqeveritare duhet të përmbyllë reformën elektorale, të funksionalizojë Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, të përmirësojë historikun në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të adresojë rekomandimet e Komisionit të Venecias në disa prej çështjeve”.
Në një intervistë televizive, duke folur për procesin e integrimit Cakaj tha se “Parlamenti Europian nuk mund të vendosë kushte, sepse ato i vendos Këshilli Europian zyrtarisht. Natyrisht, secili institucion ka peshën dhe rëndësinë e vet, por zyrtarisht kushtet për çeljen e bisedimeve dhe hapjen e kapitujve ose rrugëtimin e mëtejshëm në procesin e integrimit europian në përgjithësi e vendos Këshilli Europian”.
“Ne i kemi përfundimet e Këshillit siç janë komunikuar në mars të këtij viti, e vërteta është fare e qartë. Gama e kushteve të tjera që janë përmendur në konkluzionet e Këshillit, nuk janë parakushte për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, por janë kërkesa të vendeve anëtare drejtuar komisionit për t’u reflektuar në kornizën negociuese”, – tha Cakaj.
Ai u shpreh se “korniza negociuese do të jetë korniza e gjerë e çështjeve që Shqipëria duhet t’i trajtojë gjatë procesit negociator”.
“Gjatë procesit negociator Shqipëria nuk do të ketë 15 kushte, por do të kemi mijëra kushte, sepse duhet të përafrojmë me legjislacionin europian, që është çështje e mijëra faqeve nga njëra anë, dhe nga ana tjetër me siguri secili vend anëtar varësisht nga zhvillimet në Shqipëri mund të vendosë kushte të reja apo të ngrejë çështje të nevojshme sipas rrethanave që do të shfaqen”, – nënvizoi ministri Cakaj.
I pyetur si janë marrëdhëniet me kryenegociatorin Zef Mazi, Cakaj tha se “Mazi gëzon mbështetjen e plotë nga qeveria shqiptare dhe nga unë personalisht. Kemi pasur një takim të shkurtër, tani do takohemi edhe më shpesh, sepse puna e tij nuk është e rëndësishme vetëm për qeverinë, por për gjithë Shqipërinë. Ndaj ne na takon të gjithëve të mbështesim punën e zotit Mazi, për t’i zbatuar të gjitha kushtet që shpalosen në axhendën e tij sa i përket reformave të brendshme për të pasur një proces negociator të suksesshëm”.