Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim zhvilloi sot një takim me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, trupa e së cilës tashmë është e plotësuar.

Në një postim në Twitter, ambasadorja Kim vlerësoi kompletimin e Gjykatës Kushtetuese me 9 anëtarë duke e konsideruar një arritje madhore të reformës në drejtësi dhe garantoi mbështetje të SHBA-së.

“Që nga dhjetori 2022, Gjykata Kushtetuese është kompletuar me 9 gjyqtarë. Arritje madhore për reformën në drejtësi, e cila mbështetet fuqishëm nga SHBA. Një nder të takoj të gjithë gjyqtarët sot për të uruar sukses në zgjedhjen e një shefi të ri dhe në dhënien e drejtësisë me pavarësi dhe integritet, në përputhje me ligjin”, shkruan ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim.

Anëtarja e nëntë e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj u betua pak ditë më parë në Presidencë duke marrë zyrtarisht detyrën dhe duke i hapur rrugë procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri të këtij institucioni.