Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim u takua sot me kreun e ri të SPAK, Altin Dumani, për ta uruar atë për postin e ri drejtues.

Lajmi u bë i ditur përmes një postimi në rrjetet sociale nga Ambasada amerikane në Tiranë.

“Ajo ritheksoi që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fort zbatimin e reformës në drejtësi, një kërkesë për aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

“Në këtë drejtim dhe për të çuar përpara jetësimin e faktit që Presidenti Biden e ka identifikuar luftën kundër korrupsionit si interes thelbësor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ne do të mbështesim plotësisht prokurorët dhe hetuesit e SPAK teksa ndërtojnë mbi sukseset e deritanishme dhe intensifikojnë ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, në përputhje me ligjin, pa frikë apo favore. Askush nuk është mbi ligjin”, informon Ambasada mbi takimin.

Kjo është vizita e parë e ambasadores Kim në SPAK, pas zgjedhjes së kreut të ri të këtij institucionii.

Altin Dumani u zgjodh në krye të SPAK më 16 dhjetor, duke marrë 5 vota nga 10 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që morën pjesë në zgjedhjen e kryeprokurorit të Prokurorisë së Posaçme.

Ndërsa kandidati Edvin Kondili u rendit i dyti me 4 vota dhe Adnan Xholi mori vetëm një votë. Mandati i Dumanit është 3-vjeçar, pa të drejtë rikandidimi. Dumani mori drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, pas mbarimit të mandatit të Arben Krajës.