Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim uroi sot kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, e zgjedhur në këtë post një ditë më parë.

Kim u shpreh se reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por, theksoi ajo, po ecën përpara.

“Urime Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit të ri. Holta Zaçaj është kryetarja e parë që zgjidhet që kur Gjykata arriti të ketë trupë të plotë. I urojmë suksese asaj dhe të gjithë gjyqtarëve të tjerë teksa forcojnë integritetin dhe pavarësinë e Gjykatës. Reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por po ecën përpara”, deklaroi Kim në postim në Twitter.

Kim siguroi se SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zbatimin e plotë të reformës në drejtësi.

“Gur mbi gur…”, u shpreh Kim.

Holta Zaçaj u zgjodh në krye të Gjykatës Kushtetuese më 20 shkurt në raundin e tretë të votimit, pas dështimit të 2 raundeve të para.