Ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali, në reagim në rrjetet sociale deklaron se asnjë kompani amerikane apo europiane nuk ka ngritur shqetësim për klimën e biznesit në vendin tonë.
Duke reaguar mbi deklaratat e drejtuesit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, i cili u shpreh se klima e biznesit në vendin tonë është jo miqësore, Bilali deklaron se ky reagim është kontradiktor me deklaratat e mëparshme të Jaçes.
“Drejtuesi i AmCham para 4 ditësh (vetëm pasi u publikuan statistika me shifra) pohon dhe shprehet i kënaqur që janë 3-fishuar investimet amerikane në vend. 3 ditë më vonë pas publikimit raportit të Departamentit të Tregtisë (i parifreskuar prej 2 vjetësh), rimarrë nga DASH me disa ndryshime, shprehet që problem është klima jo miqësore e biznesit. Pyetja që të vjen menjëherë në mendje është, si e shpjegon drejtuesi shqiptar i AmCham (normalisht ai duhet të kontribuoje në leximin objektiv të aktualitetit në terren) faktin se amerikanet investuan 3 herë më shumë në Shqipëri për 4 vitet e fundit, ndërkohë që një seri investimesh të tjera të mëdha amerikane janë ne proces përgatitjeje?!”, deklaron Bilali.
“Askush nuk i mohon këto probleme, po qyshse jam në këtë detyrë as e kam hasur dhe as kam dëgjuar për ndonjë kompani amerikane apo europiane, që e ka penguar klima e biznesit në Shqipëri të investojë! Madje përkundrazi, kam pasur vetëm reagime shume pozitive prej tyre për mikpritjen dhe trajtimin në Shqipëri. Njëjtë kam dëgjuar edhe nga koleget e mi!Sa gjynah kur bashkëqytetarë tanët, aq me tepër në funksione të tilla ndikojnë për keq, pa asnjë fakt apo shifër, në ushqimin e perceptimeve të deformuara prej vitesh qoftë tek opinioni publik, qoftë tek miqtë dhe partnerët e huaj!”, shprehet Bilali.
“Por shyqyr në fund mbetet si gjithnjë puna me faktet e punës, për të cilat flet sot edhe Shqipëria turistike, me të dhënat e saj mbresëlënëse!”, përfundon ajo.