Mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste u mbyll pas një ore nga nisja e punimeve nën drejtimin e kryesocialistit Edi Rama.

Burime nga medie bëjnë të ditur se Asambleja Kombëtare ka rezultuar me dy ndryshime të rëndësishme në strukturat drejtuese të partisë.

Kështu bëhet e ditur se Blendi Klosi ka marrë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, që mbahej deri sot nga Damian Gjiknuri.

Ndërkohë, pas emërimit të Taulant Ballës në detyrën e ministrit të Brendshëm, vendin e tij në krye të grupit parlamentar të PS-së e ka marrë Bledi Çuçi.

Në përfundim të punimeve, Kryeministri Edi Rama nuk ka dhënë deklaratë për mediet, ndërsa Bledi Çuçi, i pyetur për detyrën e re nga gazetarët u shpreh shkurt se është përgjegjësi e madhe.

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste vjen 1 vit pas mbledhjes më të fundit mes socialistëve do të pasohet nga një tjetër takim dy ditë më pas, kur është njoftuar mbledhja informale e qeverisë në Tepelenë në datat 28 dhe 29 korrik.