Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Vangjush Stavro i ka ardhur në ndihmë një qytetari nga Fieri për përshpejtimin e procedurave për nxjerrjen e një pasaporte për djalin e tij që duhej ta nise me urgjencë për arsye shëndetësore jashtë shtetit.
Deputeti i PS-së, Petro Koçi e ka falënderuar publikisht Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile, i cili edhe pse në ditë pushimi zgjidhi një hall jetik të Ermir Dhimitrit nga Daullasi i Fierit.
Koçi bën të ditur se “Ermir Dhimitri po dërgon jashtë shtetit për arsye shëndetësore të birin, të cilit me të drejtë nëpunësit e aeroportit po i refuzonin check in-in sepse pasaporta e tij skadonte brenda një muaji”.
“U desh angazhimi i dhimbsur i z.Stavro që kompanisë Aleat t’i nisej urgjent kërkesa nga Gjendja Civile që të pajisej qytetari me pasaportë të re”, shprehet Koçi ndërsa e falënderon publikisht Kreun e Gjendjes Civile.
“Na duhen zyrtarë të tillë që u dhemb zemra për njerëzit e thjeshtë”, thekson deputeti i PS-së.


























