Peshëngritësi shqiptar Briken Calja është shpallur këtë të premte kampion bote në stilin e shkëputjes. Në kampionatin Botëror të Peshëngritjes që po zhvillohet në Uzbekistan, peshëngritësi kuqezi arriti të rrëmbejë medaljen e artë në kategorinë 73 kg, duke ngritur në provën e tretë peshën 156 kg.

Calja e nisi konkurrimin me 152 kg, peshë të cilën e ngriti që në provën e parë. Ai ishte i suksesshëm edhe në provën e dytë, kur ngriti 154 kg. Ndërsa në provën e tretë e rriti peshën në 156 kg duke e ngritur me sukses.

Një garë e suksesshme dhe e zgjuar e Caljes, që arriti të marrë maksimumin nga ky stil.

Është hera e parë që ky peshëngritës merr medalje të artë.

Ndërsa në stilin e shtytjes Briken Calja u shpall nënkampion bote, duke zënë vendin e dytë pasi ngriti 186 kg, 6 më pak se vendi i parë. Ai tentoi 190 kg në provën e tretë, por nuk ia doli, duke marrë kështu medalje të argjendtë.

Kështu në dygarësh Calja arriti peshën 342 kg, 1 kg më pak se vendi i parë, duke u renditur në vendin e dytë e duke marrë medaljen e argjendtë.

Po sot garoi edhe peshëngritësi tjetër shqiptar Erkand Qerimaj, i cili në peshën 73 kg në stilin e shkëputjes arriti të ngrejë shtangën 153 kg në provën e tretë. Ai e nisi konkurrimin me 150 kg, duke e realizuar me sukses provën e parë.

Më pas, ai tentoi 153 kg, por nuk e ngriti dot këtë peshë në përpjekjen e dytë. Gjithsesi, shkodrani ia doli mbanë të ngrejë 153 kg në provën e tretë, por e humbi medaljen e bronztë për shkak të peshës trupore me rusin Petrov (edhe ky ngriti 153 kg).

Erkand Qerimaj për dy kilogramë humbi zonën e medaljes në dygarësh. Ai u rendit i katërti me 333 kilogramë në total.

Një ditë më parë peshëngritësja Evangjeli Veli, e cila garoi në peshën 55 kg, nuk arriti të vazhdonte konkurrimin në dygarësh, pasi pësoi një dëmtim, që e detyroi të tërhiqej nga gara në stilin e shtytjes.

Në stilin e shkëputjes Veli arriti të ngrejë shtangën me peshë 89 kg, duke u renditur e katërta në botë.

Ditën e shtunë do jetë radha e dy peshëngritësve të tjerë kuqezi, Daniel Godellit dhe Krenar Shorajt, të garojnë në Botërorin e Peshëngritjes që po zhvillohet në Uzbekistan.