Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca zhvilloi sot një vizitë në Kopenhagen ku realizoi tre takime.
Krifca pati një takim me ministrin e Ushqimit, Bujqësisë, dhe Peshkimit të Danimarkës, Rasmus Prehn.
Krifca u shpreh se ky takim shërbeu, “për të fuqizuar marrëdhënien në kushtet kur bashkëpunimi me fuqitë e mëdha bujqësore duhet, sot, më tepër se kurrë”.
“Diskutova me Ministrin dhe ekipin e tij eksperiencat e shumta që ata kanë pasur në trajtimin e gripit të shpendëve dhe konsultova me ta planin tonë të masave. Ekipi i tij do të na asistojë me njohuri dhe do të mbështesë përpjekjet tona në menaxhimin e këtij procesi”, theksoi Krifca.
Ministrja Krifca zhvilloi një takim edhe me Drejtorin e Tregtisë, Tregjeve dhe Ushqimit, të Këshillit Danez të Bujqësisë, Jan Laustsen, për të hapur rrugën e bashkëpunimit mes kompanive bujqësore shqiptare dhe atyre daneze në fushën e prodhimit bujqësor e blegtoral, agro-përpunimit dhe inovacionin në menaxhimin e fermave.
Më pas Krifca pati një takim edhe me Marco Frederiksen, Drejtorin e Përgjithshëm të EUROFISH, organizatës prestigjioze me qendër në Kopenhagen, ku Shqipëria është anëtare.
Krifca i kërkoi në takim Frederiksen “më shumë intensitet në bashkëpunimin mes institucioneve tona, asistencë në hapjen e eksporteve për molusqet si edhe rritjen e ndërgjegjësimit për eksportet shqiptare peshkore në tregun Evropian”.



























