Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca zhvilloi një takim me përfaqësuesit e “Toyo Reizo”, kompaninë e peshkimit pjesë e Korporatës Mitsubishi.

Në një postim në rrjetet sociale Krifca ndau momente nga takimi me përfaqësuesit e kësaj kompanie.

“Gjatë 2022 për herë të parë kemi filluar eksportet e tonit me cilësi mjaft të lartë, përmes Rozafa Ltd, ndaj me përfaqësuesit e Toyo Reizo diskutuam mbi këtë bashkëpunim si dhe eksploruam mundësitë e zgjerimit të mëtejshëm të eksporteve të produkteve të peshkimit”, theksoi Krifca.

“Toyo Reizo” është kompania më e rëndësishme në botë, që merret me tregtinë e peshkut në tregjet me shumicë, në supermarkete dhe restorante në Japoni e në botë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, është pjesë e delegacionit të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, që po zhvillon një vizitë zyrtare prej ditësh në Japoni.