Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi priti sot në Elbasan Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, me të cilën ndoqën një orë mësimore të Abetares së Përbashkët Unike në formatin digjital në një SmartLab të shkollës 9-vjeçare “Luigj Gurakuqi”.

Ministrja Kushi theksoi se Shqipëria dhe Kosova kanë shumë punë të përbashkëta në arsim, por krenaria më e madhe e përbashkët është pikërisht abetarja, e cila gjithmonë ka ardhur duke u përmirësuar, por pjesa digjitale është një risi.

Në një postim në rrjete sociale, ministrja Kushi ka falënderuar të gjithë mësuesit në Shqipëri e Kosovë që u mësojnë vogëlushëve gjuhën e bukur shqipe, plot përkujdesje dhe dashuri.

“Faleminderit mësuese Aidës dhe të gjithë mësuesve në Shqipëri dhe Kosovë, që u mësojnë vogëlushëve gjuhën tonë të bukur shqipe plot përkujdesje dhe dashuri”, u shpreh Kushi.