Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi pas një procesi urgjent investigimi u është përgjigjur akuzave të opozitës, e cila pretendonte se rikthimi në detyrë i drejtorit të një shkolle në Kamzë përbënte një skandal.
Nëpërmjet një reagimi në orën e mbrëmjes, Kushi dokumentoi se rikthimi i drejtorit të shkollës është bërë pas vendimit të marrë nga organet ligjzbatuese.
“Menjëherë pas reagimit të opozitës në lidhje me rastin e rikthimit në detyrë të një drejtori shkolle në Kamzë, nisëm një proces investigimi, nga i cili rezultoi se rikthimi i këtij drejtori është bërë nga DRAP Durrës në zbatim të legjislacionit në fuqi, pas vendimit të prokurorisë për mosfillim të procedimit penal, si pasojë e mungesës së veprës penale, arsye për të cilën dhe u largua nga detyra drejtori”, tha Kushi.
“Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet e varësisë çdo vendim e marrin në zbatim të ligjit dhe duke respektuar vendimet e institucioneve ligjzbatuese, duke mos lejuar cenimin e figurës së punonjësit arsimor, drejtor, nëndrejtor apo mësues”, u shpreh ajo
Kushi publikoi edhe vendimin për mosfillimin e procedimit penal nga ana e prokurorisë,
dëshminë e penalitetit ku rezulton i padënuar, vendimin mbi rishikimin e aktit administrativ,
vendimin për emërim në detyrë të drejtorit.



























