Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi në replikë me deputetin e Partisë Demokratike Tritan Shehu për kërkimin shkencor, tha se, “e kuptoj që në politikë shumë gjëra mund të ekzagjerohen ose mund të zbehen për interesa politike. Por që të mohoni punën e kolegëve tuaj, nuk mund ta prisja kurrë prej jush”.

“Janë kaq shumë pedagogë universitetesh që punojnë me përkushtim, janë pjesëmarrës edhe në projekte kërkimore shkencore në partneritet me universitetet më prestigjioze. Si mund të thoni që nuk ka kërkim shkencor? Natyrisht mund të bëjmë më shumë, dhe duhet të bëjmë më shumë, por jo të mohoni një punë kolosale që e bëjnë kolegët tuaj”, u shpreh Kushi në fjalën e saj në Kuvend.

“Mund t’ju jap shifrat që investon qeveria shqiptare për kërkimin shkencor. Në qoftë se për vitin 2019 për infrastrukturë të kërkimit shkencor janë investuar 164 milionë lekë, në vitin 2021 186 milionë dhe në vitin 2022 janë 250 milionë lekë. Ndërkohë që për projektet kërkimore-shkencore, për profesoratin e universiteteve janë 39 milionë në vitin 2019, 47 milionë në vitin 2021 dhe 79 milionë në vitin 2022”, informoi Kushi.

Ajo theksoi se, për sa i takon pjesëmarrjes së kërkuesve shqiptarë në programet e mëdha të BE-së, niveli i suksesit të aplikimeve është rritur nga 8% që ishte në programin Horizont 2020, në 38% në programin e ri Horizont Evropa.

“Vetëm në vitin e parë kërkuesit shqiptarë kanë përthithur nga BE 2.1 milionë euro nëpërmjet projekteve kërkimore-shkencore. Madje për herë të parë këtë vit dy universitete shqiptare janë lider në projektet e BE Horizont Europa. Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë”, shtoi ajo.

“Jam dakord që duhet të bëjmë akoma më shumë, të punojmë akoma më shumë, por nuk mund ta mohoni progresin. Nuk e prisja kurrë që Ju të mohonit punën e kolegëve tuaj”, tha Kushi.