Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi njoftoi sot shtyrjen e afatit të aplikimeve të universiteteve për projektet kërkimore shkencore, duke bërë edhe një thirrje që universitetet të aplikojnë.
Kushi theksoi në rrjetet sociale se këtë vit buxheti për projekte të kërkimit shkencor është rritur me 75% në krahasim me vitin 2022, duke ecur shpejt drejt përmbushjes së angazhimit për të rritur financimin e kërkimit shkencor në 1% të PBB deri në vitin 2030.
“Falë këtij buxheti, me thirrjen e këtij viti do të mundësojmë edhe rritjen e numrit të projekteve fituese por edhe përmirësimin e cilësisë së tyre”, theksoi ministrja Kushi.
“Së shpejti ne do të hapim edhe thirrjen e dytë, e cila do t’i dedikohet vetëm projekteve që vijnë nga bashkëpunimet mes universiteteve dhe bizneseve, me qëllim modernizimin e proceseve teknologjike ose përmirësimin e standardeve të produkteve dhe shërbimeve”, vijoi Kushi.
Ajo inkurajoi që projektet t’i përgjigjen 6 fushave prioritare të shpallura në thirrje, për të mbështetur zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.



























