Shqipëria barazoi 1-1 ndaj Islandës në Reykjavik, në ndeshjen e vlefshme për grupin B2 të Ligës së Kombeve.

Trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja zbriti në fushë me Berishën në portë. Ndërsa në mbrojtje u rreshtuan Balliu, Ismajli, Kumbulla dhe Gjimshiti. Hysaj, Gjasula, Abrashi dhe Çekiçi ishin në mesfushë. Teksa Seferi dhe Çikalleshi ishin dyshja sulmuese

Shqipëria kaloi e para në avantazh me anë të Taulant Seferit në minutën e 30-të. Pas një aksioni të Abrashit që tentoi portën, portieri islandez Runarson nuk ia doli të largonte topin dhe Seferi përfitoi duke shtyrë topin në rrjetë.

Por gëzimi i kuqezinjve nuk zgjati shumë pasi në minutën e 49-të Islanda barazoi, pas një gabimi në mbrojtjen e Shqipërisë. Gjimshiti pasoi gabimisht tek Jon Dagur Thorsteinssondhe ky i fundit e dërgoi topin në rrjetë.

Shqipëria dominoi ndeshjen dhe pati disa mundësi të mira për të shënuar golin e fitores, por mungoi cinizmi dhe finalizimi. Ekipi kombëtar tentoi deri në fund fitoren, por duhet të mjaftohet me një pikë në transfertën nordike.

Kjo ishte ndeshja e parë që Shqipëria luante në Ligën e Kombeve pasi sfidën e parë nuk e zhvilloi prej skualifikimit të Rusisë. Të premten Shqipëria do të presë Izraelin në “Air Albania Stadium”.