Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, së bashku me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, drejtuesen e zyrës së OBSH në Shqipëri, Geraldine Mc Weeney dhe drejtuesin e UNICEF për Shqipërinë, dr. Roberto de Bernardi, kanë vizituar qendrën shëndetësore në Shtiqën të Kukësit, për të parë nga afër zinxhirin ftohës për ruajtjen e vaksinave.
Duke shprehur mirënjohjen për partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen për rritjen e kapaciteteve të zinxhirit ftohës për ruajtjen e vaksinave, Manastirliu tha se “rritet siguria për shpërndarjen e vaksinave të sigurta në nivel kombëtar”.
Shpërndarja e 102 frigoriferëve +2+9 gradë Celsius në qendra shëndetësore dhe NJVKSH në të gjithë vendin, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, plotëson të gjitha nevojat për këto pajisje dhe rrit me 25 % kapacitetet aktuale të zinxhirit të ftohtë për këto temperatura, duke siguruar kapacitete të mjaftueshme edhe për futjen e vaksinave të reja në kalendarin e vaksinimit.
Po ashtu, sigurimi i dy makinave frigoriferike për shpërndarjen e vaksinave në ISHP përmirëson më tej sigurinë e shpërndarjes së vaksinave në vend. Për monitorimin e temperaturave jashtë dhomave të ftohta është investuar në bashkëpunim dhe me partnere si OBSH, USAID dhe UNICEF, ku çdo frigorifer për ruajtjen e vaksinave në vend ka mundësi të monitorohet në mënyrë të sigurt.



























