Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në një intëervistë për ‘Radarin Informativ’ ka folur për situatën e pandemisë në vendin tonë dhe vaksinimin.
Ajo tha se sipas OBSH deri në fund të vitit në Shqipëri synohet që vaksinimi të arrijë në shifrën 40% të popullsisë, ndërsa nënvizoi se deri më tani janë vaksinuar 26% e të rinjve.
“Doza e tretë është decizive për të rritur imunitetin. Nëse marrim popullatën e targetuar, kemi të gjithë vaksinatorët tanë. Vaksinimi duhet të arrijë në 40% deri në fund të vitit. Strategjia që kemi përdorur është ajo e komunikimit me qytetarët. Vende të ndryshme kanë përdorur strategji të ndryshme. Sipas të dhënave 26% e të rinjve janë vaksinuar. Fakti që ne jemi duke vaksinuar edhe me dozën e tretë, do të thotë që interes ka.
Vaksinimi është sfidë dhe qëllim në vete sepse mbron ndaj hospitalizimeve. Ata që nuk futen në kategorinë e personave që duhet të aplikojnë vaksinën, mjeku është ai që përmes një recete vlerëson dhe jep rekomandimin nëse nuk duhet ta kryejë. Ai verifikohet në të gjitha instancat për atë që deklaron mjeku. Ata që nuk duan të vaksinohen duhet të bëjnë testin. Shteti ofron vaksinën falas. Kjo nuk është kosto për qytetarët, kosto është nëse infektohen dhe shkojnë në spital”, tha ajo.
Ministrja foli edhe për variantin Omicron dhe situatën në Europë që ka shtyrë disa vende europiane të marrin masa. Ajo theksoi se arma e vetme që kemi është vaksinimi.
“Duke qenë se tashmë qarkullon Omicron i cilësuar si shqetësues që praktikisht është përhapur në 70 shtete. Sot Britania ka ngritur alertin duke qenë se aty rritet transmetueshmëria. Qarkullimi në vende europiane ka ngritur alert për marrjen e masave dhe fokusimin te vaksinimit. Vaksinimi me tre doza rrit mbrojtjen ndaj Omicron. Ende nuk kemi të dhëna të plota. Në Shqipëri kemi situatë të qëndrueshme. Incidenca është e qëndrueshme. Situata në spitale është e menaxhueshme. Kemi një ecuri të qëndrueshme të vaksinimeve. Arma që ne kemi veç ruajtjes së distancës, është vaksinimi. Po përdoret gjerësisht dhe është e vetmja që kemi”, tha ajo. /CNA.al



























