Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e ftuar në televizionin ABC News nënvizoi se, rritja e pagave për mjekët specialistë do të fuqizojë edhe më tepër burimet njerëzore.
“Është një masë që i përket një strategjie që qeveria ka për të mbështetur profesionistët. Kemi kaluar në në moment të ri, ku ka ekzistuar hierarkia e pagave në nivel politik dhe tani po kalojmë në një hierarki pagash në profesion. Pra, profesionistët kanë një vlerë të shtuar në të gjithë sistemet ku ata kontribuojnë. Kryeministri lajmëroi rritjen e pagave për mjekët specialistë në të gjitha strukturat. Do të ketë rritje prej 50 mijë lekë të reja dhe për pjesën tjetër të personelit, do të ketë rritje page prej 7 për qind. Është një masë në kuadër të strategjisë tonë në kuadër të zhvillimit të burimeve njerëzore për të adresuar edhe sfidat e mobilitetit të profesionistëve të shëndetësisë që kanë prekur edhe rajonin, edhe Evropën”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se gjatë vitit të shkuar u punësuan mbi 340 mjekë dhe 950 infermierë.
Duke u ndalur në mbështetjen e nënave me shumë fëmijë, Manastirliu tha se, “janë më shumë se 6200 nëna me më shume se 3 fëmijë që kanë përfituar subvencionim të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore”.
“Nisma për mbështetjen me 3 dhe më shumë do të kemi vazhdimësi të kësaj nisme do të kemi përmirësim të kësaj nisme”, theksoi Manastirliu.



























