Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë një vizite zyrtare në Itali, takoi Shenjtërinë e Tij, Papa Françesku, gjatë audiencës së mbajtur në Vatikan.

Në kuadër të vizitës në Itali, Manastirliu zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme.

Pas takimit në Vatikan me Kardinal, Michael Czerny, drejtues i Ministrisë së Zhvillimit dhe Integrimit Njerëzor në Vatikan, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, ministrja zhvilloi një tjetër takim të frytshëm me Rektorin e Universitetit të Romës Tor Vergata, Prof. Orazio Schillaci për të formalizuar bashkëpunimin në një marrëveshje konkrete me Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Manastirliu shoqërohet në këtë vizitë nga Prof. Arben Gjata, Prof. Xheladin Draçinin, Prof. Anila Godo, Prof. Alma Idrizi.

Më herët, Manastirliu bëri me dije se është arritur të dakordësohet një marrëveshje e re me spitalin pediatrik “Bambino Gesu”, gjatë një takimi me Presidenten e këtij spitali, Mariella Enoc, për një platformë të përbashkët për rritjen e kapaciteteve të mjekëve të specializuar si dhe për mbështetjen e pacientëve të vegjël me sëmundje të rralla.