Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta foli sot për Reformën në Drejtësi dhe zgjedhjen e kreut të ri të SPAK.
I ftuar në një emision televizive, Meta tha se kjo reformë goditjen e parë e mori me emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm me 69 vota.
Ai tha se SPAK ka favorizuar çështjen e inceneratorëve dhe për rastet e denoncuara nuk ka hetim.
“SPAK ka favorizuar çështjen e inceneratorëve. Unë e kam denoncuar dhe kur kam qenë president. Ka pasur denoncime me fakte me prova nga ish-LSI. Sot e kësaj dite nuk ka asnjë rezultat sepse në krye të saj është kryeministri që përpiqet t’i vonojë hetimet dhe t’i bllokojë ato. Tek çështja e inceneratorëve kemi të bëjmë me një organizatë të strukturuar kriminale në nivelin më të lartë të qeverisë. Kemi afera më të mëdha si ajo e Portit të Durrësit, të koncesioneve. Kemi shembjen e Teatrit Kombëtar një vepër e paligjshme, një vepër kushtetuese. Në çdo rast është një vepër kriminale dhe sot nuk ka asnjë hetim”, tha ai.
Meta foli dhe për Portin e Durrësit duke e konsideruar një aferë që implikon kryeministrin.
“Porti i Durrësit një aferë shumë e qartë që implikon drejtpërdrejtë kryeministrin e vendit. Se ky vetëm një projekt strategjik nuk është të ndërtosh apartamente. Për më tepër është një grabitje e pronës publike. Rrezikon ta lerë vendin pa port, pasi porti i ri mund të kërkojë shumë para dhe shumë kohë. Kur bëhen projekte lagjesh është detyrimi për të bërë konsultim publik. Për Portin e Durrësit që është aset strategjik veprohet në këtë mënyrë. Pse nuk lëvizet në këtë drejtim nga drejtësia? Sepse ajo është e kapur nga Edi Rama”, tha ai.



























