Në gjithë botën po hapen miliona vende të reja pune në industrinë e shfrytëzimit të energjisë diellore.
“Puna më jep shumë kënaqësi, jam i entuziasmuar dhe mësoj shumë“, thotë Fabian Rojas. Që nga tetori i vitit të kaluar argjentinasi 26-vjeçar punon në një firmë pranë Këlnit, që monton panele diellorë në çati dhe ka katër punonjës. Shefi i firmës René Hegel e punësoi inxhinierin argjentinas, i cili në atë kohë ndodhej për vizitë në Gjermani. Kështu mund të përballohet një pjesë e kërkesës, e cila ka rritje të shpejtë.
“Ne kemi shumë kërkesa, unë shkruaj të paktën gjashtë oferta në javë dhe kemi porosi për katër deri në pesë muajt e ardhshëm“, tregon Rojas për DW. “Klientët duan të prodhojnë vetë energji elektrike, të ngarkojnë makinat elektrike me të dhe të ulin konsumin nga rrjeti. Kjo ndihmon për mbrojtjen e klimës“.
Fabian Rojas bisedon me klientët, planifikon sistemet dhe nganjëherë ndihmon për montimin e tyre në çati. Shefi i tij shet që nga viti 2008 impiante për shfrytëzimin e energjisë diellore. “Fabiani mëson shumë shpejt,” thotë Hegel i kënaqur. “Muajt e ardhshëm ai do të fitojë më shumë përvojë praktike, atëherë gjërat do të shkojnë edhe më mirë“.

























