Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot në parim projektbuxhetin për vitin 2022.

Në seancën e sotme plenare deputetët votuan me 76 vota pro, 52 kundër dhe asnjë abstenim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2022” (shqyrtimi në parim).

Në vitin 2022, të ardhurat totale të buxhetit parashikohen të rriten më tej, në nivelin 536.8 miliardë lekë. Krahasuar me të pritshmin e vitit 2021, kjo rritje është rreth 7.8 %.

Shpenzimet buxhetore për vitin 2022 parashikohet të jenë 637.6 miliardë lekë, ose 34.1% e PBB. Investimet publike parashikohen në vlerën 119.1 miliardë lekë ose 6,4% e PBB-së, ku përfshihet edhe fondi i rindërtimit në shumën 20 miliardë lekë, si dhe transferta kapitale për fondin e shpronësimeve me 1,8 miliardë lekë.

Deficiti buxhetor për vitin 2022 planifikohet të jetë në nivelin 5,4 % të PBB-së dhe borxhi publik do të ulet në nivelin 78.6% të PBB, pra me rreth 1.4% kundrejt nivelit të pritshëm të vitit 2021.

Deputetët në Kuvendin e Shqipërisë miratuan gjithashtu në parim me 76 vota pro, 52 kundër dhe asnjë abstenim projektligjin “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”; projektiligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare” u miratua në parim me 76 vota, 52 kundër dhe asnjë abstenim; projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” u miratua në parim me 76 vota pro, 52 kundër dhe asnjë abstenim; projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” u miratua në parim me 76 vota pro, 52 kundër dhe asnjë abstenim.