Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve afganë dhe personave pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit dhe krijimin e Taskforcës për menaxhimin e fluksit të kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare.
Vendimi parashikon dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve me shtetësi apo kombësi afgane dhe personave pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit, që hyjnë masivisht dhe të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë në territorin e Shqipërisë, për arsye të luftës, situatës së ngjashme, dhunës së përgjithshme dhe konfliktit të brendshëm, të karakterizuara nga shkelje të të drejtave të njeriut dhe që kërkojnë mbrojtje nga Republika e Shqipërisë.
Mbrojtja e përkohshme për këta shtetas fillon nga momenti i hyrjes në Republikën e Shqipërisë për një afat 1-vjeçar.
Nga e drejta e mbrojtjes së përkohshme përjashtohen të gjithë personat të cilët plotësojnë një nga kushtet e përcaktuara në ligjin “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.
Autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët mund të vendosë që kërkuesit t’i kufizohet liria e lëvizjes, nëse e konsideron të nevojshme, bazuar në vlerësimin individual të secilit rast sipas përcaktimeve të ligjit “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.
Po ashtu qeveria vendosi krijimin e Taskforcës, si një strukturë e posaçme e përkohshme, për menaxhimin e fluksit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nga shtetasit afganë dhe personat pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit.
Taskforca kryesohet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ka në përbërje a) Ministrin e Brendshëm; Ministrin e Mbrojtjes; Ministrin e Financave dhe Ekonomisë; Ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë; Ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit.
Sipas nevojave ftohen të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të tjera me kërkesë të kryetarit të Taskforcës.
Taskforca ka si detyrë të negociojë me partnerët ndërkombëtare për çështjet që lidhen me objektin e këtij vendimi, si dhe të hartojë planin e veprimit për menaxhimin e fluksit të kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare.
Po ashtu, taskforca koordinon situatën e pritjes dhe të akomodimit të shtetasve afganë dhe personave pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit.
Ajo evidenton nevojat emergjente për t’i paraprirë punës me ndryshimet e mundshme të kuadrit ligjor, nënligjor e rregullator, të cilat ndikojnë në përmirësimin në këtë funksion, si dhe analizon kërkesat shtesë buxhetore për funksionimin, shpenzimet dhe bazën e nevojshme materiale, si dhe koordinon fondet e donatorëve për këtë qëllim.
Taskforca ndihmohet nga sekretariati teknik në detyrat administrative. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ministri i Brendshëm janë përgjegjës për ngritjen e këtij sekretariati, përcaktimin e përbërjes dhe të mënyrës së funksionimit të tij.
Periudha e veprimit të Taskforcës është deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nga shtetasit afganë dhe personat pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit.


























