Situata emergjente e shkaktuar nga moti i keq i dy ditëve të fundit është diskutuar mbrëmjen e së hënës në emisionin “Debat dhe Transparencë” në TV SKAMPA.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki ÇAKO dhe Prefekti Klevis Xhoxhi diskutuan mbi mënyrën e menaxhimit dhe emergjencat e shkaktuara.
ÇAKO tha se problematikë kryesore shfaqën akset nacionale të cilat në disa raste u bllokuan, kjo për shkaqe të ndryshme.
Sipas tij, ishin një sërë faktorësh që cuan në këto bllokime të përkohshme duke vënë theksin tek vonesat e kompanive nënkontraktore, mungesën e ndërgjegjësimit të drejtuesve të mjeteve për të përdorur zinxhirë, por edhe paniku që e shoqëroi këtë situatë.

Aktualisht tha ÇAKO situata duket e normalizuar dhe të gjitha ekipet e emergjencave vijojnë të jenë në terren pasi tempraturat e ulëta do të vijojnë dhe për dy ditë të tjera dhe ngricat do të jenë të pranishme.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile shtoi më tej se e gjithë flota e helikoperëve ka qenë në dispozicion në rast emergjencash shëndetësore dhe po ashtu forcat e ushtrisë.
Nga ana e tij Z. Xhoxhi vlerësoi punën e bashkive të qarkut të Elbasanit që ditën të përballojnë me seriozitet një situatë të tillë.
Ai tha se edhe rastet e emergjencave nuk munguan, por ndërhyrja e menjëhershme me mjetët e bashkive dhe ekipet e emergjecave, bëri që këto situata të kalojnë pa pasoja.
Me Z. ÇAKO u disktua edhe situata e përmbytjeve në zonën e Shkodrës dhe jo vetëm. Duke analizuar faktorët e kësaj situate, ÇAKO theksoi se sapo të largohet uji do të evidentohen dëmet dhe do të mbështeten banorët e dëmtuar.
ÇAKO tha se qeveria i ka të gjitha kapacitetet për tu qëndruar pranë qytetarëve të prekur nga fatkeqësitë natyrore.
Nga ana tjetër ÇAKO vuri në dukje ndryshimet ligjore të cilat përcaktojnë që 4% e buxhetit të bashkive të shkojë për emergjencat, marrjen e masave parandaluese, apo trajtimin e efekteve të mëpasme.


























