Teksa njëvjetori i aprovimit të vlefshmërisë 10-vjeçare të vizave me SHBA për shqiptarët afrohet, zëvendëssekretarja për Çështjet Konsullore, Rena Bitter në një videomesazh shprehu admirimin e saj për partneritetin e fortë SHBA-Shqipëri.

“Është e mrekullueshme të jem në Shqipëri. Gjatë vizitës sime në Shqipëri, kam qenë dëshmitare e partneritetit të jashtëzakonshëm SHBA-Shqipëri, në demokraci, mbrojtje dhe biznes. Unë kam parë nga afër gjithashtu mikpritjen e popullit shqiptar dhe frymën e “besës”, ndërsa ju vazhdoni të mirëprisni dhe mbroni aleatët tanë afganë. Bujaria e Shqipërisë është frymëzim për botën”, u shpreh ajo.

Bitter tha se, “jam në Shqipëri teksa afrohet 1-vjetori i zgjatjes të vlefshmërisë 10-vjeçare të vizave për sipërmarrësit dhe turistët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara. Jam shumë e kënaqur që ky njoftim historik u bë gjatë festimeve të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Puna jonë konsullore, përfshirë shërbimet për shtetasit amerikanë në Shqipëri dhe vlefshmërinë e re 10-vjeçare të vizave për shqiptarët, është në qendër të lidhjeve gjithnjë e në zgjerim, midis njerëzve në dy vendet tona”.

“Gjatë viteve të fundit, ekipi ynë ka punuar pa u lodhur për t’u siguruar që studentët, turistët, investitorët dhe sipërmarrësit shqiptarë të mund të udhëtojnë në SHBA.  Teksa festojmë përvjetorin e parë të vlefshmërisë 10-vjeçare të vizave për shqiptarët, jam krenare për rolin që luan ambasada jonë, dhe veçanërisht ekipi ynë konsullor, në forcimin e lidhjeve mes njerëzve tanë, një lidhje që do të vazhdojë të forcohet”, përfundoi videomesazhin Rena Bitter.

Ndihmëssekretarja e SHBA-së për Çështjet Konsullore, Rena Bitter ndodhet për një vizitë në Tiranë ku takua sot me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Ditën e djeshme ajo vizitoi edhe Shëngjinin, ku u takua me afganët që janë në pritje të zhvendosjes në Shtetet e Bashkuara.