Agjencia e Barnave e Bashkimit Evropian ka deklaruar se do të duhen 4 javë për të verifikuar të dhënat e sigurisë dhe efikasitetit në lidhje me vaksinën e koronavirusit të Pfizer përpara se ajo të miratohet zyrtarisht. Ndryshe nga sa ishte parashikuar se vaksina do të ishte gati në muajin dhjetor.

Sipas kësaj agjencie, ka në plan që vendimin ta marrë në një takim në 29 dhjetor, me gjasë një javë pasi rregullatorët e SHBA dhe Britanisë së Madhe të japin miratimin e tyre.

Njoftimi vjen pasi udhëheqësit evropianë paralajmëruan se vaksina ka të ngjarë të mos shpërndahet para javës së parë të janarit.

“Me informacionin që morëm së fundmi duhet të supozojmë se miratimi do të ndodhë vetëm në fund të vitit,” – tha Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn.

Nga ana tjetër, presidenti francez Emmanuel Macron theksoi në një konferencë shtypi se “nuk do të ketë një politikë vaksinimi për publikun e gjerë” gjatë muajve të parë të 2021.

Vaksina e Pfizer, e zhvilluar nga BioNTech duket se është 95% efektive kundër koronavirusit, sipas të dhënave paraprake nga një verifikim i fundit.

Sipas të dhënave të raportuara deri më tani në të gjithë botën, më shumë se 63 milion kanë rezultuar pozitivë dhe gati 1.5 milion kanë vdekur nga COVID-19 që kur virusi u zbulua për herë të parë në Kinë në fund të vitit të kaluar.