Nis puna për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit të tensionit të lartë 400 kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) bëri të ditur se ky korridor, i quajtur ndryshe si “Via Egnatia në energji elektrike”, pjesë e korridorit të 8-të si infrastrukturë themelore ndërkufitare në energji elektrike, do të lidhë ngushtë tregjet e të dy vendeve dhe do të ndikojë në mënyrë të rëndësishme, si në kombinimin e burimeve natyrore për prodhim të energjisë elektrike, ashtu edhe në uljen e kostove respektive të furnizimit të të dy tregjeve me energji elektrike, duke rritur konkurrueshmërinë e rajonit, si edhe duke ndikuar direkt në rritjen ekonomike të të dy vendeve.

Gjithashtu, linja rrit sigurinë energjetike si dhe i shërben integrimit më të gjerë rajonal të të dy vendeve në tregun elektroenergjetik ballkanik dhe më gjerë.

Në ceremoninë e zhvilluar në Komunën Debrac të Republikës së Maqedonisë së Veriut, morën pjesë përfaqësues nga të dyja vendet.