Banorët po përballen me tmerrin e flakëve në Lunxhëri të Gjirokastrës, ndërsa është gjetur i djegur një burrë 64 vjeç. Ai së bashku me bashkëshorten, e cila është dërguar në spital në gjendje të rëndë, po përpiqeshin të shuanin flakët në shtëpi. Fshatrat Asim Zeneli, Arshi Lengo dhe Krina në Njësinë Administrative Lunxhëri – Antigone po përballen me flakët.
Forcat e ushtrisë dhe banorët po përdorin çdo mjet të mundshëm për t’i shuar, por flakët vijojnë të përhapen të favorizuar nga era dhe temperaturat e larta.
Pamje nga flakët në Lunxhëri të Gjirokastrës
Tashmë kërkohet ndihmë nga ajri pasi rrezikohen jetë njerëzish në atë zonë.
Në vendngjarje po punojnë strukturat e mbrojtjes civile, gjithashtu në mbështetje kanë shkuar edhe Forcat e Armatosura.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bën thirrje për bashkëpunim mes banorëve në zonat e prekura nga flakët.
“U bëjmë thirrje banoreve të jenë bashkëpunues me strukturat shtetërore për të zbatuar urdhrin e evakuimit”, tha ministri.
Pamje gjatë evakuimit të banorëve në Lunxhëri
Zjarret prej 10 ditësh vijojnë edhe në zonën e Vlorës, ku në Karaburun po përparojnë me shpejtësi drejt Llogorasë dhe zonave të banuara në Dukat.
Banorët e kanë të pamundur të mbrohen të vetëm nga flakët, duke qëndruar gjitha natën në roje. Ndërkohë që era e fortë po e shtyn zjarrin më në jug drejt pyjeve me pisha në Llogora.
Nëse zjarri mbërrin atje, dëmi do të jetë i jashtëzakonshëm por edhe rruga nacionale bëhet e pakalueshme. Në ditën e tetë të katastrofës natyrore në Karaburun, ushtria ka ndihmuar me 500 forca emergjencat. Ushtarët janë të pajisur vetëm me nga një lopatë, por ndërhyrja e tyre është e rrezikshme sepse flakët ecin më shpejt se njerëzit.
Ndërkohë helikopteri që u përdor për të shuar flakët një ditë më parë, sot nuk është shfaqur ndërsa situata është shumë më e rëndë. Në ditën e tetë të shpërthimit të flakëve në zonë ka shkuar edhe shefi i emergjencave civile, Haki Çako.
Kontrolli i lartë i shtetit u pengua që të bënte kontroll pranë emergjencave me arsyetimin se drejtuesi ishte me pushime. Çako u pyet sot edhe për këtë konflikt. Ndërkohë zjarre në pyje ka edhe në Cukal të Vaut të Dejës.


























