“Ne nuk e duam Shqipërinë për pushtetin, por edhe duam shtetin për Shqipërinë”, deklaroi sot nga Elbasani, Kryeministri Edi Rama. Në një takim me banorë të Elbasanit i zhvilluar në stadiumin e qytetit, Rama tha se “kur hyra këtu e ndjeva veten në atmosferën e një ndeshje të kuqezinjve”.

“E ndjeva veten pjesë e një skuadre kombëtare që në 25 prill nuk do të shkoj atje të kutia e votimit për një palë por për çdo shqiptar”, tha Rama.

“Jam shumë i frymëzuar nga gjithë këto ditë rrugëtimi në këto stacione shumë të bukura ku ne mblidhemi dhe ruajmë rregullat, ku ne takohemi me njëri- tjetrin dhe i japim Shqipërisë një mesazh të qartë se: ne nuk e duam Shqipërinë për pushtetin, por edhe duam shtetin për Shqipërinë”, tha Kryeministri.

Ne, tha Rama, “nuk jemi parti që vijmë në Elbasan, fusim 12 ballokume dhe nxjerrim 6”. “Parti që edhe sobën e kanë fut në skenë që i pjek 12 dhe nxjerr 6. Ne s’jemi si ata. Ne nuk jemi as si ata që Ditën e Verës, në anën tjetër të bulevardit i vunë njollë një feste tradicionale të gjithë shqiptarëve. Ky është dallimi mes nesh dhe tyre. Ata janë ajo që ndodhi nga ana andej e bulevardit ditën e Festës së Verës, ne jemi ata që jemi këtu dhe na shikon gjithë Shqipëria”, tha Rama.