Bllokimi i kufijve ka ulur ndjeshëm, të paktën përkohësisht, aplikimet e shqiptarëve për azil në shtetet e Bashkimit Europian. Sipas statistikave të Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilit gjatë muajit maj kanë aplikuar për azil gjithsej 90 shtetas nga Shqipëria, 24 prej të cilëve ishin riaplikime. Në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, kur kishte gjithsej 1,532 aplikime, është shënuar një tkurrje prej 94%. Për 5 mujorin, gjithsej aplikimet për azil ishin rreth 3 mijë, me një rënie prej gati 70% me bazë vjetore.
Tkurrja ka ardhur kryesisht që nga marsi, kur filluan dhe kufizimet e udhëtimeve dhe mbyllja e Europës, por dhe në janar dhe shkurt, kur ishin muaj normalë, është konstatuar një përgjysmim i kërkesave për azil, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë vitit 2019, aplikimet për azil nga Shqipëria ishin 22.9 mijë, me një rritje të lehtë prej 2% në raport me vitin e mëparshëm, duke iu kthyer tendencës rritëse pas katër vitesh radhazi kur numri i azilantëve po vinte në rënie. Të dhënat e EASO tregojnë se në total ka një numër prej rreth 15 mijë rastesh që janë pezull. Përgjithësisht, mbi 90% e vendimeve për herë të parë që merren për azilantët shqiptarë janë negative, pasi Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt.
Në vitin 2019, Shqipëria renditej në listën e 10 vendeve që kanë nivelin më të lartë të kërkesave për azil së bashki me shtete të tilla si Siria, Afganistani, Venezuela, Pakistani, Turqia, Nigeria, Irani dhe e para në raport me popullsinë. Të dhënat historike tregojnë se që nga viti 2013 ka një rritje të kërkesave për azil, që kulmoi në 2015-n, me rreth 68 mijë dhe më pas ndonëse erdhi në ulje, sërish mbeti më i larti nga shtetet e tjera të Europës që nuk janë pjesë e BE-së.