Presidenti Amerikan Donald Trump do mobilizojë ushtrinë dhe të gjitha burimet e mundshme federale kundër protestuesve për të zgjidhur shpejt problemin e protestave për vdekjen e George Floyd, afrikano-amerikan i vrarë nga një oficer policie në Minneapolis.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Trump u kërkoi me forcë guvernatorëve të shteteve që të marrin kontrollin e rrugëve duke mobilizuar Gardën Kombëtare, përndryshe, siç ai paralajmëroi, “do të nxjerrë në rrugë ushtrinë. Ai nuk i ka kursyer sulmet ndaj guvernatorëve teksa iu drejtua atyre me fjalët, “Ose merrni situatën ose do dukeni idiotë nëse nuk arrestoni demonstruesit dhe ti lini ata në burg për një periudhë të gjatë kohe.

Trump tha se “ushtria do të ndërhyjë shpejt dhe në mënyrë vendimtare edhe në Washington DC”.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, ka paralajmëruar gjithashtu se “Ata që kërcënojnë jetët e pafajshme dhe pronën private do të arrestohen, burgosen dhe ndiqen penalisht … “Organizatorët e terrorit, anarkistët, grabitësit, kriminelët, rebelët dhe pjestarët e organizatës ANTIFA – tha Trump- do të përballen me dënime të rënda kriminale dhe dënime të gjata me burg.”

Presidenti gjithashtu pas deklaratës në Shtëpinë e Bardhë, shkoi në këmbë në kishën e afërt Shën Gjon Episkopal, e cila u dëmtua gjatë protestave dhe me bibël në dorë u betua se do të vendosë rregullin.

Trump, dëshiron të përdorë Ligjin e Kryengritjes, një ligj i vitit 1807. Presidenti ka raportuar se ai tashmë ka urdhëruar mobilizimin e “mijëra e mijëra njerëzve të armatosur rëndë, personelit ushtarak dhe oficerëve të zbatimit të ligjit” për të ndaluar dhunën në Washington DC.

Ligji i Kryengritjes i jep Presidentit të Shteteve të Bashkuara fuqinë, në raste të jashtëzakonshme, të mobilizojë ushtrinë federale dhe Gardën Kombëtare për të zëvendësuar detyrat e policisë.

Ndërsa tre ditë më parë autopsia zyrtare e njekësisë ligjore nxorri si shkak të vdekjes së George Floyd sëmundjet e mbartura të zemrës dhe jo vdekjen prej mbytjes, sot autopsia e pavarur e kërkuar nga familjarët e viktimës tregoi se vdekja ishte pasojë e asfiksisë traumatike. Në momentin e arrestimit polici amerikan mbajti për plot 8 minuta gjurin e tij mbi qafën e afrikano amerikanit

“Shkaku i vdekjes për mendimin tim është asfiksia, për shkak të ngjeshjes së gjurit në qafë – e cila ka bllokuar oksigjenin të shkojë në tru”, – tha mjeku i zgjedhur nga familja Floyd që kreu autopsinë.

Sot gjatë mbrëmjes në New York City, mënjëherë pas fjalimit të Trump, lagjet më të famshme në Manhattan, ende të mbyllura prej masave të bllokimit dhe izolimit për shkak të pandemisë, janë sulmuar, vandalizuar dhe plaçkitur nga bastisjet. Banda kryesisht me të rinj kanë shkatërruar më qindra dyqane dhe supermarket duke plaçkitur e vjedhur çdo gjë.

Por duket se situata e orëve të fundit i vjen në ndihmë Presidetit Trump në prag të fushatës për zgjedhjet presidenciale dhe një mundësi për të rikuperuar krizën e tij të rënies së popullaritetit. Fakti që plaçkitjet po ndodhin sidomos në dy fortesat e së majtës, Kalifornia dhe New York-u, është një dhuratë shtesë për Donald Trump.