Albana Vokshi ka publikuar rezultatet e votimit në referendumin e mbajtur një ditë më parë në të gjitha qytetet e vendit për shkarkimin e kreut aktual dhe rithemelimin e PD-së. Vokshi deklaron se “rreth 44 mijë anëtarë votuan në referendumin për shkarkimin e Lulzim Bashës. Ushtrimi më i bukur i demokracisë së drejtpërdrejtë”.

Dje u votua për vendimet që u morën në Kuvendin e 11 dhjetorit, të iniciuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. Demokratët që morën pjesë në votimin e referendumit ishin 43,879, ku 43,385 votuan pro, 306 kundër, 17 abstenuan dhe 171 ishin vota të pavlefshme.

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale përbëhej nga kryetarja Albana Vokshi dhe anëtarët Ervin Minarolli, Enno Bozdo, Edit Harxhi dhe Keltis Kruja.