Qeveria shqiptare ka propozuar politika fiskale zgjeruese që mbështesin investime të reja publike, të cilat do të kontribuojnë në rritjen ekonomike të vendit.
Stimujt e mëtejshëm fiskalë nga ana e shpenzimeve buxhetore shihen si një garanci për nivele të qëndrueshme të rritjes ekonomike që parashikohet në nivelin e 5.5 % këtë vit dhe në projektbuxhetin afatmesëm me një mesatare me 4.5 % për tre vite të tjera në vazhdim.
Përmes tyre synohet jo vetëm një zhvillim dinamik i ekonomisë, por edhe një punësim i qëndrueshëm, më shumë burime financiare për të rritur shërbimet publike dhe përfundimin e shumë projekteve tashmë në proces.
“Qeveria shqiptare është detyruar të bëjë disa ndryshime në parashikimet buxhetore dhe ato makroekonomike, me objektivin për të krijuar hapësirën e nevojshme fiskale për mbështetjen ndaj qytetarëve dhe bizneseve përgjatë vitit 2021, por mbi të gjitha për të vijuar me mbështetjen e vazhdueshme financiare duke siguruar objektivin primar vaksinimin total të popullsisë, i cili është një objektiv shumë i rëndësishëm për t’u realizuar”, u shpreh sot ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave teksa u diskutuan ndryshimet në ligjin organik të buxhetit.
Ndryshimi kërkon që rregullat fiskale të mos aplikohen përjashtimisht për vitin 2021, si domosdoshmëri për fleksibilitetin e nevojshëm të buxhetit të shtetit.
Ky ndryshim është në frymën e udhëzimeve fiskale të Komisionit Europian për vendet e Bashkimit Europian të datës 2 qershor 2021, të cilat shtrijnë aplikimin e përjashtimeve fiskale edhe gjatë vitit 2022.
Këto udhëzime argumentojnë se politikat fiskale zgjeruese, gjatë periudhës 2021-2022 për vendet e Bashkimit Europian, por jo vetëm, synojnë implementimin e investimeve të reja publike të cilat, që do të ndikojnë dhe kontribuojnë në arritjen e objektivave në raport edhe me rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto.
Por ministrja Denaj thotë se konsolidimi fiskal, i cili para situatës së krijuar nga pandemia ishte fakt, mbetet prioritet i qeverisë shqiptare.
Falë politikave të ndërmarra qeveria shqiptare arriti që në fund të vitit 2019, deficiti buxhetor të ishte në nivelin më të ulët të 5 viteve, vetëm 1.6 % e PBB-së ndërsa borxhi publik zbriti në 66.3 % në fund të vitit 2019 nga 72.5 % që ishte në 2015-ën.
“Për një ekonomi si ajo shqiptare, me dy goditje të njëpasnjëshme, me fonde të konsiderueshme të alokuara nga buxheti i shtetit, si për të përballuar situatën e tërmetit, ashtu edhe të pandemisë, mendojmë se zgjerimi fiskal edhe për këtë vit është i domosdoshëm”, tha ministrja.
Mënyra se si qeveria reagoi me masa të menjëhershme për të përballuar situatën e pandemisë dhe me mbështetje buxhetore për rindërtimin pas tërmetit të nëntorit 2019, njëkohësisht duke mos ndryshuar asnjë zë të shpenzimeve buxhetore bënë që kontraktimi i ekonomisë të ishte shumë më pak se pritshmëritë, konkretisht vetëm -3.3 % nga -6.1 % që planifikohej nga qeveria por edhe institucione ndërkombëtare financiare.
Rritja ekonomike me 5.53 % në tremujorin e parë të këtij viti, rritja e eksporteve, rritja e konsumit, por edhe e të ardhurave të mbledhura në buxhetin e shtetit përgjatë 5 muajve të parë të këtij viti tregojnë rikthimin e ekonomisë shqiptare në trendet e saj të rritjes me ritme edhe më të larta sesa të para pandemisë.
Eksportet “Made in Albania” shënuan rritje me 39 miliardë lekë në 5 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me vitin e pandemisë. Ato rezultojnë të jenë 15 miliardë lekë më të larta këtë 5-mujor edhe se në të njëjtën periudhë të vitit 2019. Treguesit flasin qartë edhe për rritjen e konsumit në vend. Të ardhurat nga TVSH shënuan rekord historik për periudhën, duke arritur 55.2 miliardë lekë, ndërsa rritje më të lartë edhe se në vitin 2019 kanë të ardhurat nga akcizat dhe taksat kombëtare.


























