Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në Prezë, brenda 6 deri 8 muajsh, do ndërtohet poligoni i parë publik i testimit të manovrave të parkimit.

Kryeministri Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga ky poligon ku thekson se projekti do të jetë me standardet e BE dhe me sipërfaqe rreth 6000 m2.

“Në Prezë, pranë DPSHTRR, do të marrë formë brenda 6 deri 8 muajsh, poligoni i parë publik i testimit të manovrave të parkimit, por edhe qendra moderne e formimit për kursantë e për subjekte të interesuara për simulime reale apo virtuale. Ky Poligon Zyrtar Qendror sipas standardeve të BE, do të shërbejë për disa qarqe e bashki të Shqipërisë së Mesme, për të rritur cilësinë e testimit praktik dhe transparencën në marrjen e Lejes së Drejtimit. Kjo vepër e re me një sipërfaqe rreth 6000 m2 do të shërbejë edhe për Programe Edukative të Sigurisë Rrugore, orë Këndi Trafiku dhe Aktivitete Mësimore shtesë”, shprehet Rama.

Objekti i ri, do të kthehet në një hapësirë të teknologjisë më të fundit të simulatorëve mbi drejtimin e mjetit, pikë takimi për aktivitete edukative me moshat e reja si edhe stacion trajnimesh profesionale të sektorit të leje drejtimit.

Projekti parashikon e-Monitorim ajror por edhe brenda në kabinë, live gjatë provimit, funksional ditën e natën, karikim mjetesh elektrike me energji alternative, parkime ndihmëse, sinjalistikë e mjete simulimi, instalime bashkëkohore dhe ambiente pritjeje.