Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu prezantoi sot në shoqërinë e Kryeministrit Rama spitalin e ri në QSUT të cilit i janë shtuar 350 shtretër të rinj.
“Këtu puna ka mbaruar tërësisht, pra gjithë sistemet janë vendosur dhe janë funksionale. Pritet instalimi dhe brenda 15 tetorit do të bëhet instalimi i të gjithë shtretërve. Nuk është thjesht një godinë. Ka një të mirë ky spital”- tha Manastirliu
Ndërkaq kryeministri Edi Rama u shpreh se ky është investimi më i madh i këtyre tre dekadave.
“Drejt përfundimit investimi më i madh i këtyre tre dekadave në shëndetësi. Spitali i Ri i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, me 350 shtretër të rinj, i cili do të ngrejë më tutje nivelin e shërbimit shëndetësor publik me standarde europiane- tha Rama.
Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të ofrojë shërbimin e reumatologjisë, alergologjisë, dermatologjisë dhe fizioterapisë që aktualisht ndodhen në godina të tjera të QSUT. Po ashtu spitali do të ketë 9 salla leksioni dedikuar studentëve të mjekësisë, ku do të zhvillohen praktikat mjekësore, si dhe edukimi në vazhdim.


























