Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama bëri të ditur sot se, po finalizohet dhe është gati për financim projekti i ndërtimit të sistemit të furnizimit me gaz për ngrohje të të gjitha shtëpive të Korçës.

Në një takim me gra dhe vajza të Korçës, Rama ndau lajmin e mirë se, qeveria po punon me qeverinë e Azerbajxhanit për këtë projekt.

Sipas tij, “ky është projekti i parë që po finalizohet dhe për të cilin është gati financimi”.

“Besoj se ky është një lajm i mirë për gratë që nuk do të kenë më nevojë të luftojnë me burrat që t’i gjejnë dru për zjarr. Ky është një lajm i mirë për familjet e Korçës që nuk do të kenë më një dhomë të nxehtë dhe gjithë dhomat e ftohta. Lajm shumë i mirë për shëndetin, pyjet, lajm shumë i mirë edhe për gjithë hotelerinë dhe gjithë sistemin e mikpritjes në Korçë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, “ky nuk është një projekt që do të nisë mbas shumë vitesh, por do të nisë shumë shpejt, bashkë me të tjera projekte që janë përgatitur”.

“Është e kotë të flasim për garë e kundërshtarë. Do flasim për çfarë do bëjmë më tutje. Korça është bashkia që në dekadat e fundit ka pasur zhvillimin më të madh ekonomik e social pas Tiranës, duke pasur parasysh se nga u nisëm. Kur Korça i ka dhënë Nikos mandatin e parë dhe kur unë kam ardhur këtu, kishte vetëm një hotel që kishte mbetur nga koha e komunizmit, 1 të vetëm për të fjetur në një qytet të tërë. Rrugët e Korçës nuk kishin ndriçim, kalldrëmet ishin copë-copë dhe as nuk mund të ktheje sytë nga Pazari, se ishte një vend i frikshëm. Këtej kishte vetëm baltë e asnjë gjë tjetër”, tha Rama.

Sot, sipas tij, “në Korçë janë 160 bujtina njëra më e bukur se tjetra dhe vetëm nga bujtinat janë krijuar 3 mijë vende pune”.

“Por që të vinim tek bujtinat duhet ta fillonim nga ajo që na kanë sulmuar gjatë gjithë kohës, nga fasadat. Korça ishte si një grua e bukur e lënë rrugëve, komplet e pakrehur, e rreckosur dhe krejtësisht e padukshme në hiret e veta. Sot Korça është një zonjë dhe patjetër që sot Korça është një zonjë, e cila duhet të kthehet për të gjithë. Ndaj ne po punojmë shumë me projekte që faktikisht të rinjtë janë të parët që i prekin”, shtoi Rama.

Më tej, Rama u shpreh se, “Piramida e madhe në Tiranë që po kthehet në qendrën më të madhe digjitale të rajonit, nuk do të kishte ndodhur nëse këtu nuk do të kishte filluar modeli i parë për të lidhur të rinjtë me teknologjinë. Duam të krijojmë një pol të ri zhvillimi për teknologjinë bujqësore. Po ashtu ish-materniteti i rrënuar është kthyer në qendrën e mikpritjes. I projektuar nga bashkia e Korçës me FSHZH-në dhe ku përveç se ka strukturë hotelerie do të ketë edhe infrastrukturë në shërbim të të rinjve për të krijuar startup-et e tyre dhe zhvilluar industrinë kreative”.

Po ashtu, Rama informoi se, nesër në mëngjes do të zhvillohet konkursi kombëtar për stadiumin e ri të Korçës.

“Do të bëjmë një stadium, jo vetëm për ndeshje, por të ketë edhe argëtim. Nuk do të jetë vetëm stadium, por destinacion zhvillimi, ekonomie, biznesi dhe argëtimi. Për eventet e mëdha muzikore do të ndërtojmë një qendër jashtë Korçës, se duam të sjellim gjithmonë e më shumë njerëz në Korçë”, shtoi Rama.

Rama theksoi se, ambicia fundore është të ndërtojmë edhe polin e skive, që Korça të bëhet destinacion turistik i nivelit të lartë.

“Kemi miratuar aeroporte sportive në Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë, por destinacioni i skive është shumë i rëndësishëm, pasi do të rriten të ardhurat e Korçës. Ne jemi në garë me kohën për ta ngritur Shqipërinë në majën që meriton. Ta bëjmë kampione të Ballkanit në turizëm dhe ndaj duhen Alpet dhe turizmi i dimrit, ku Korça ka gjithë potencialin, por edhe aftësinë që të bëhet lokomotiva që tërheq të tjerët me forcën e shembullit”, shtoi Rama.