Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i PS-së, nga Vlora deklaroi sot se “i kemi hapur Shqipërisë porta që as nuk mund të imagjinoheshin”.
Në takimin me qytetarë të Vlorës, teksa kërkoi votën për Ermal Dredhën, Rama tha se “më 14 maj, jo partitë, por Shqipëria duhet të marrë anën e duhur me aleatët, partnerët strategjik dhe kundër atyre që aleatët strategjik të Shqipërië i kanë etiketuar të padëshirueshëm”.
“Dhe Vlora është nga ato që e kanë të pamundur t’i shmangen rolit që kanë për Shqipërinë dhe vlonjatët bëjnë pjesë në atë shtyllë kurrizore të patundshme të patriotizmit shqiptar dhe largpamësisë që Shqipëria duhet të ketë për të ecur para. Më 14 maj jo partitë, por Shqipëria duhet të marrë anën e duhur me aleatët tanë, partnerët tanë dhe kundër atyre që aleatët tanë e thonë troç janë të padëshirueshëm”, u shpreh Rama.
Për kryeministrin Rama, Shqipëria po vlerësohet në arenën ndërkombëtare.
“Shqipëria, si askush se kishte imagjinuar drejtoi OSBE-në, një organizatë vendesh nga Kanadaja në Rusi, është vendi i parë ku BE u mblodh jashtë kufijve të vet dhe u ul për të bërë një samit europian në Tirana. Shqipëria është i pari vend i rajonit që do të mirpresë samitin e Berlinit me kancelarin e Gjermanisë në krye, një samit i përvitshëm për rajonin. I kemi hapur të ardhmes së këtij vendi porta që deri dje as nuk mund të imagjinoheshin, në funksion të ekonomisë, turizmit dhe rritjes së ndërveprimit të vendit për të rritur mirëqënien e vet”, deklaroi ai.
Parnerët tanë, tha Rama, u detyruan ta bënin me shkrim kërkesën për popullin shqiptar se ky individ është i padëshirueshëm. Sipas tij, arsyeja pse e përsërit kaq shpesh këtë është se e di si funksionon marrëdhënia me partnerët.
“Shqipëria nuk mund të ngrihet aty ku do, pa mbështetjen e aleatëve strategjikë, duke bërë karshillik. Do të korrim fitoren më të madhe në historinë e zgjedhjeve vendore. Nuk e kam mendjen se sa do të votojnë për ne, por sa pak dhe aspak do të votojnë për ata. Shqipëria nuk mund të ketë një faqe të bardhë dhe një faqe të zezë”, u shpreh Rama.



























