Kryeministri Edi Rama ka vizituar eventin Retro Christmas te sheshi i ministrive “Bujar Lako”, pranë pedonales së Tiranës.

Kreu i ekzekutivit shoqërohet nga bashkëshortja e tij dhe djali i vogël Zaho, i cili pa nga afër makina mbi gjysmë shekullore të ekspozuara në shesh. Zaho mori një targë të personalizuar.

RETRO Christmas, eventi i shumëpritur i fundvitit, bashkon mjetet historike të koleksionit shqiptar Retro, të dekoruara me frymën festive shumëngjyrëshe dhe të shoqëruara nën tingujt muzikor Jazz & Swing, te sheshi i ministrive “Bujar Lako”, pranë pedonales së Tiranës.

Në këtë mbrëmje të shënuar, koleksioni shqiptar RETRO feston anëtarësimin në FIVA-Federata Ndërkombëtare e Mjeteve Historike.

Kryeministri Rama anëtarësimin e RETRO në këtë federatë e ka cilësuar një moment kulmor për koleksionistët shqiptarë dhe një superbravo për Blend Gonxhen e për skuadrën e DPSHTRR.

E organizuar nga RETRO – Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në bashkëpunim me bashkinë Tiranë, Teatrin e Operas dhe Baletit dhe Ministrinë e Kulturës, dhjetëra mjete historike të koleksionit shqiptar Retro ekspozohen në shesh për të gjithë të apasionuarit e mjeteve, nostalgjikëve të së shkuarës automotive, por edhe publikut kureshtar të çdo grupmoshe.

Fëmijët e talentuar të “Korit të Zërave të Bardhë” të Teatrit të Operas dhe Baletit ngrohin atmosferën duke performuar këngë krishtlindjesh për të mirëseardhur festat e fundvitit, e më tej do të jetë muzikë Jazz & Swing deri në orët e vona.

RETRO dhe DPSHTRR janë angazhuar në krijimin e Regjistrit Zyrtar të Mjeteve Historike ku sot numërohen rreth 450 mjete si pjesë e koleksionit shqiptar RETRO nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit rrugor.