Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar një punë të mirë që ka shpëtuar tre komunitete të mëdha nga makthi i plehrave, në Tiranë, Elbasan dhe Fier, ndërtimin e tre inceneratorëve.

Duke replikuar me një nga ndjekësit e tij në rrjetin social “Facebook”, i cili e konsideronte aferë ndërtimin e inceneratorëve dhe e pyeste Kryeministrin nëse ndjente përgjegjësi, Rama tha se veprat janë ndërtuar, janë aty dhe janë në shërbim të komuniteteve, të shëndetit publik e të mjedisit.

Kryeministri tha se nëse në këtë punë të mirë ka pasur edhe individë që mbrapa shpinës së qeverisë, kanë abuzuar me pushtetin e tyre, për të nxjerrë përfitime të paligjshme, këtë e nxjerr hetimi dhe gjykimi i drejtësisë, jo propaganda politike apo balta mediatike.

”Ilir Mustafaraj për cilën “aferë të inceneratorëve” se unë nuk di ndonjë aferë inceneratorësh, po di një punë të mirë që ka shpëtuar tre komunitete të mëdha nga makthi i plehrave, në Tiranë, Elbasan dhe Fier! Nëse në këtë punë të mirë ka pasur edhe individë që mbrapa shpinës së qeverisë, kanë abuzuar me pushtetin e tyre, për të nxjerrë përfitime të paligjshme, këtë e nxjerr hetimi dhe gjykimi i drejtësisë, jo propaganda politike apo balta mediatike! Por kjo nuk e ndryshon faktin se veprat janë ndërtuar, janë aty dhe janë në shërbim të komuniteteve, të shëndetit publik e të mjedisit”, u përgjigj Kryeministri Rama.