Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, kompanitë e ndërtimit nuk do të lejohen të futen në proceset e tenderave publikë dhe nuk do të mund të marrin leje ndërtimi nëse paraqesin balancë pagesash me paga minimale.

Gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit në Durrës për pagën minimale, Rama tha se, duke bërë evazion me pagat, ata faktikisht u grabisin punonjësve pensionet dhe sigurimet shëndetësore.

“Nuk mund të rrimë dhe bëjmë sehir nëse kompani të caktuara nuk u përgjigjen punonjësve me dinjitet dhe përdorin paga që janë lëmoshë shfrytëzimi. Nuk është e lehtë për ne që t’u imponohemi dhe as e drejtë. Por ne nuk mundet dot të rrimë dhe bëjmë sehir e shikojmë se si kompani ndërtimi me shkallë vështirësie jo të ulët, të paraqesin balancë pagash me paga minimale. Kjo është e papranueshme”, deklaroi Rama.

Sipas tij, kompanitë e ndërtimit nuk i paguajnë punëtorët me paga minimale.

Rama tha se, punonjësve iu jepet një pjesë e pagës në dorë.

“Ata faktikisht iu grabisin punonjësve pensionet dhe sigurimet shëndetësore. Të gjithë flasin në Shqipëri për pensionet dhe mendojnë se duhen rritur. Por ndryshe nga pagat, pensionet rriten në varësi të kontributeve. Nuk mund të rriten në rast se, kur vjen puna tek kontributet të gjithë bëjnë bisht”, tha Kryeministri.

Për këtë arsye, vijoi Rama, do të vendosen rregulla.

“Nuk do të lejojmë futjen në proceset e tenderave publikë të atyre kompanive që kanë nivele pagash që nuk i përgjigjen realiteteve të sektorit. Nuk do t’u japim leje ndërtimi atyre kompanive që bëjnë evazion me pagat, ose që nuk trajtojnë punonjësit si duhet”, theksoi ai.

Rama tha se, kompanive do t’u kërkohet kontrata kolektive e punës që garanton të drejtën e punonjësve.