Tre të rinj nga Franca, Pierre, Frederic dhe Alex në një videomesazh të tyre, përveç se shijuan Shqipërinë turistike lanë edhe përshtypjet më të mira për stafin e spitalit “Shefqet Ndroqi”, pas një situate shëndetësore që kaluan.

Kryeministri Edi Rama ndau sot me ndjekësit e tij në rrjetet sociale përshtypjet e tre të rinjve francezë për stafin shëndetësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”.

“Përshëndetje! Jemi në Tiranë, në këtë shesh të bukur, këtë javë do të shkojmë të notojmë në plazh. Ç’do më shumë nga jeta?!”, shprehet Pierre, njëri nga tre turistët francezë që vizituan Tiranën.

Pas shëtitjeve në kryeqytet tre miqtë rikthehen sërish në shesh.

“Shiko, përsëri jemi akoma te sheshi, kemi restorantet prapa nesh. Jemi në Tiranën fantastike. Jemi për një jave dhe do ti marrim maksimumin”, shprehet Pierre.

Ndërsa Alex shprehet se klima është e mrekullueshme. “E pabesueshme, sa kohë e bukur është”, thekson ai.

“Po të shkosh në plazh do të shijosh pafund detin mesdhetar, uji është kristal, blu, si ngjyra e një qielli pa re”, shprehet ai.

E mbi të gjitha, shqiptarët janë shumë të sjellshëm, shprehet Pierre.

“Vërtetë shumë mikpritës. Janë shumë të hapur, sapo na shikojnë afrohen dhe hyjnë menjëherë në komunikim”, thotë ai.

Më tej Fredi shpjegon edhe një ndodhi që kishte pasur, për të cilën kishte qenë i detyruar t’i drejtohej spitalit.

“Ah po, këtu përjetova një të papritur. Erdhëm në spital, paraqitëm pasaportat, shpjegova që kam vështirësi në frymëmarrje,. Më vunë oskimetrin (aparat që mat nivelin e oksigjenit në gjak). Te ne duhen 2-3 orë para se të fillojnë të të trajtojnë në urgjencë. Më pas më vunë maskën e oksigjenit, si dhe më bënë ventolinën, me qëllim që të më lirohej sadopak frymëmarrja. Më morën dhe gjak, më bën testin e COVID-19 gjithashtu, si dhe radiografi pulmonare. Më ofruan një shërbim të plotë, pa më vonuar fare. Dhe mbi të gjitha, duhet thënë që stafi i spitalit ishte shumë mikpritës dhe i sjellshëm. Më qetësuan, se kisha gjithashtu pak ankth, çka nuk është edhe aq e thjeshtë, kur je në një vend që nuk e di se ç’të pret”, shprehet Fredi.

Edhe Pierre shprehet i habitur nga pritja që iu bëhej të huajve në spital.

“Çka ishte… një surprizë. Dhe nuk e dinim tamam se si do shkonte puna e pagesës, por na thanë që është falas”, thotë Pierre.

Ata falenderuan ekipin mjekësor që u përkujdes për ta.

“Krenarë kur dëgjojmë fjalë të mira nga turistët e huaj, jo vetëm për bukuritë e vendit tonë, por dhe për mikpritjen dhe shërbimet që marrin ndërsa janë me pushime këtu”, u shpreh kryeministri Rama.

Ndërkohë një tjetër mision shpëtimi u shënua në bjeshkë, ku disa turistë çekë morën ndihmë mjekësore nga ekipi i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore dhe mjekët në Lekbibaj.