Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në çelje të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit në Durrës se, investimet në dy portet e reja, atë turistik dhe atë tregtar, do ta kthejnë Durrësin në një destinacion ndër më të kërkuar në Mesdhe.
“Kjo do të thotë se do të rriten mundësitë për punë, por do të keni edhe punë më të mirëpaguar. Këtu në Durrës janë dy porte kyçe, porti i ri turistik dhe porti i ri tregtar në Porto Romano”, tha ai.
Për të dy këto porte, Rama informoi se, puna është në proces.
“Në portin turistik ka nisur të vendoset baza e kantierit dhe do të fillojë së shpejti intensivisht punimet. S’ka më pengesa. Me portin tregtar jemi në fazën e garës ndërkombëtare. Është një projekt ambicioz, për ta bërë Durrësin një portë hyrëse për tregtinë e të gjithë rajonit tonë“, u shpreh Rama.
Rama foli edhe për bazën e NATO-s për të cilën tha se, është duke u punuar.
“Në Porto Romano kemi edhe një përmasë tjetër për të krijuar një bazë operacionale navale të NATOS-s”. Jemi duke punuar edhe për këtë“, shtoi Rama.



























