Kryeministri Edi Rama deklaron se nuk ka të ardhme të Bashkimit Evropian pa Ballkanin Perëndimor.
I pranishëm në punimet e Forumit Strategjik të BLED-it që po mbahet sot në Slloveni, Rama i kërkoi Bullgarisë t’i hapë rrugën çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kryeministri Rama solli në vëmendje një ndër veprat e famshme të shkrimtarit të njohur irlandez Samuel Beckett, “Duke pritur Godonë” teksa tha se “BE është Samuel Beckett-i ynë, dhe ne po presim Godonë”.
“E bukura e kësaj është se Beckett mund të shfaqet në BE përmes ngjyrave e kombeve të ndryshme, e së fundmi është Bullgaria”, u shpreh Rama.
Por ne, vijoi Kryeministri, jemi këtu për të luftuar, “sepse ne nuk po kërkojmë licencë për të qenë evropianë, ne jemi evropianë, çfarëdo të mendojnë e thonë njerëzit në BE, ne jemi evropianë”.
Rama u shprehu mirënjohjen presidentit dhe kryeministrit slloven për ftesën e bërë për të qenë pjesëmarrës në këtë forum, ku diskutohet për të ardhmen e Evropës.
“Natyrisht është një takim anësor, jo kryesori, por është shumë dramatike dhe shumë qesharake që të shikosh Bashkimin Evropian të angazhohet në diskutime për të ardhmen e Evropës dhe ne nuk ftohemi. Së paku, për mirësjellje të ndryshojnë emrin: e ardhmja e Bashkimit Evropian dhe jo Evropës, sepse nëse është për të ardhmen e Evropës: ne jemi evropianë”, deklaroi Kryeministri Rama.
Kryeministri shtoi se nuk ka asnjë të ardhme të Evropës pa Ballkanin Perëndimor brenda BE-së.
“Nëse BE do të vazhdojë kështu, natyrisht nuk do të jetë mirë për ne, por do të jetë edhe më keq për BE-në. Kjo jo sepse po i jap Ballkanit Perëndimor të gjithë atë peshën me të cilën e kemi parë njëri-tjetrin kur ishim të izoluar, por sinqerisht po them se ju përmendët në fillesë etërit themelues të BE-së dhe nuk mund të rri pa thënë se nëse do të çoheshin e do të ndiqnin këtë diskutim, shpreh bindjen se do të mendonin më mirë të ishim të vdekur sesa gjallë. Nuk kam fakte, por po kthehen përmbys. Ç’e ardhme e Evropës, për çfarë po debatojmë?!”, deklaroi Rama.
Rama bëri thirrje të mos përmenden më faktorë dhe aktorë të tretë për sa i përket vendimit për çeljen e negociatave.
“Ne nuk po flasim të bëhemi anëtarë. Kur ne të bëhemi anëtarë, Macron, që është më i riu, do të jetë duke shkruar kujtimet. Po flasim për të çelur bisedimet”, shtoi Kryeministri Rama.
Rama iu drejtua presidentit të Bullgarisë duke i kërkuar të hapë rrugën për bisedime me BE-në.
“Unë do të përfitoj dhe do t’i kërkoj presidentit të Bullgarisë: Ju lutemi, ju bullgarët mos jini kaq tipik evropianë! Bëhuni ballkanas! Hapini rrugën bisedimeve. Na lini të flasim me BE-në dhe pastaj ju mund të bëheni ballkanik e të pengoni”, tha Rama.
Forumi Strategjik i BLED-it konsiderohet si ngjarje kyçe rajonale. Ky forum i përvitshëm është kthyer në një ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare në rajon.

























