Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, pas përpjekjeve të bëra është arritur që Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të hyjnë në aleancën europiane të universiteteve.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Landit Federal të Bavarisë, Markus Söder, i cili po viziton sot Shqipërinë, Rama tha se, do të kërkohen sa më shumë lidhje me universitetet për të pasur programe të universiteteve të Bavarisë në universitetet tona.
”Ne kemi folur me Kryeministrin edhe për atë që për ne është një prioritet dhe që pas përpjekjeve të bëra është arritur që Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të hyjnë në aleancën evropiane të universiteteve, që do të thotë që edhe me ndihmën e qeverisë dhe të Kryeministrit në Bavari, ashtu si edhe në vendet e tjera, ne do të kërkojmë sa më shumë në lidhje me universitetet për të pasur programe të universiteteve të Bavarisë në universitetet tona dhe për t’i dhënë mundësi të rinjve tanë që të studiojnë me ato programe këtu, në Shqipëri”, deklaroi Rama.
Nga ana tjetër, shtoi Rama, u fol me kryeministrin bavarez për bursa për studentët shqiptarë.
Kryeministri bavarez, Söder shkoi më tej kur foli për njohjen reciproke të diplomave të arsimit profesional.
“Në fakt bëhet fjalë për shumë më tepër sesa thjesht tema e arsimit apo të kërkimeve shkencore. Në të ardhmen ne do duhet të përpiqemi që të mbërrijmë njohjen reciproke të diplomave të arsimit profesional apo diplomave të ndryshme profesionale, sikundër edhe njohje reciproke në sektorë të ndryshëm, ndaj është mjaft e përshtatshme ajo që ne diskutuam. Do të shikojmë në të ardhmen se si do të formësohet kjo. Mendoj që ai që duhet të na drejtojë është jo vetëm të menduarit ekonomik, por edhe marrëdhëniet kulturore, sikurse bisedova”, tha Söder.



























