Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “PS ka hapur një proces të brendshëm për kandidaturat për president, pasi është hera e parë që PS i ka votat për të zgjedhur presidentin dhe nuk varet nga votat e të tjerëve ndaj edhe përgjegjësia është e jashtëzakonshme për t’i dhënë vendit një president normal”.

Në një prononcim për mediet nga selia e PS-së, pas përfundimit të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, Rama foli për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

“Kemi nisur një proces, ka një skuadër të mandatuar nga kryesia e PS-së për të hapur një kanal komunikimi me forca, grupe, individë në Parlamentin e Shqipërisë, që përfaqësojnë anën tjetër. Një anë me copa dhe çika, por këtë nuk e kemi zgjedhur ne. Ne thjesht respektojmë këtë konfiguracion që ata kanë krijuar”, tha Rama.

I pyetur nëse Lulzim Basha mund të jetë kandidat për president, Rama tha se “Lulzim Basha mund të bëhet president i Republikës me votat e kësaj shumice, aq sa Sali Berisha mund të fitojë çmimin ‘Oscar’ me mbështetjen e syriqimit.net”.

Kryeministri informoi po ashtu se PS sapo ka mbaruar një mbledhje të Asamblesë Kombëtare në vigjilje të Kongresit, i cili do të zhvillohet në një kontekst të jashtëzakonshëm.

“Ky Kongres do të ketë një format të ri në funksion të një hapjeje të gjerë dhe adresimi të atyre që janë çështjet më të rëndësishme të këtij momenti të vështirë. Sigurisht që do të kemi jo vetëm ata që do të flasin në emër të lidershipit të partisë, por do të kemi të gjithë disponimin dhe po bëjmë atë që duhet, për të pasur të ftuar që të përfshihen në debatet tona në kërkim të një gjallërimi. Debati të shëndetshëm me një frymë të shëndetshme kritike dhe vetëkritike në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të vetvetes. Problemi ynë më i madh është vetvetja, se kundërshtarët janë bërë problem që për momentin nuk ekziston”, tha Rama.