Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të 209 kursantëve që përfunduan me sukses Kolegjin e Policisë për “Patrullë e Përgjithshme” dhe për fillimin e Kolegjit për 400 kursantë të rinj.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Rrumbullaku tha se, “është shumë emocionuese për të gjithë ne, dhe veçanërisht për mua si Drejtor i Policisë së Shtetit, që shikoj sot një armatë të tërë të rinjsh e të rejash, një pjesë e të cilëve certifikohen për të dalë në punë, ndërsa shumica prej jush zgjodhi të bëhet banor i këtij tempulli që shkollon, trajnon dhe aftëson brezat e ardhshëm të Policisë së Shtetit”.
Ai tha se, në këtë 10-vjeçar, çdo vit, Policisë së Shtetit i janë shtuar qindra vajza dhe djem.
“Jam i sigurt që këtij misioni shtetndërtues, sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive të qytetarëve, do t’i shërbeni me dedikim të plotë, me maksimumin e potencialit tuaj dhe me ndershmëri”, u shpreh Rrumbullaku.
Sipas tij, mosha vitale e brezit të ri, i mundëson të rinjve energjinë e duhur për të punuar në Polici, por pa shkollimin e duhur, sado aftësi dhe guxim të keni, nuk mund ta përmbushni dot me sukses misionin që keni marrë mbi supe, pasi shërbimi në Policinë e Shtetit është një mision kompleks dhe i vështirë, i cili kërkon prej jush disa komponentë, si maturinë, zgjuarsinë, humanizmin dhe sakrificën.
Rrumbullaku tha se , “për të arritur suksesin qoftë në Akademi, për marrjen e rezultateve sa më të larta, qoftë në terren kur të dilni në punë me përgjegjësinë e plotë të detyrës, duhet të bashkoni dhe të gërshetoni edukimin me praktikën në shërbim të Policisë dhe qytetarëve”.
Ai vuri në dukje se, në dispozicion të së tashmes dhe të së ardhmes së Policisë së Shtetit, krahas një mbështetjeje të plotë nga agjencitë ligjzbatuese në vend dhe krahas një kuadri të plotë e të detajuar ligjor, është tashmë edhe struktura e re e Policisë së Shtetit.
Kjo strukturë, vijoi ai, do të lidhë secilin prej titullarëve tuaj sot dhe secilin prej jush nesër, drejtpërdrejt me qytetarët, me terrenin, me thelbin e problematikës, duke sjellë si rezultat një shërbim policor më etik, më korrekt, më profesional, konform ligjit dhe standardeve europiane.
“Lufta e përditshme e punonjësit të Policisë, me paligjshmëritë, nuk bëhet në bazë të urrejtjes për shkelësit e ligjit, por në bazë të atdhedashurisë dhe përgjegjësisë për qytetarët e vendit. Një punonjës policie i denjë përballet deri në sublim më shkelësin e ligjit, me krimin e kriminalët, jo sepse urren ata që ka përballë, por sepse do sigurinë e atyre që qëndrojnë pas shkelësve të ligjit, pra do qytetarët e ndershëm të cilët e vlerësojnë dhe e mbështesin Policinë, në përmbushjen e misionit të saj.
Fytyra e rinisë është pasqyra e së tashmes dhe e së ardhmes së një vendi, mos e njollosni pasqyrën tuaj për përfitime afatshkurtra por me kosto të përjetshme, mbajeni të pastër, që të rrezatojë shpresë, besim dhe siguri te qytetarët, të cilët duan, meritojnë dhe kanë nevojë të kenë punonjës policie profesionistë, të aftë dhe të besueshëm”, deklaroi Rrumbullaku.